IPK rekomandon suspendimin e tre policëve në Mitrovicë

Inspektorati Policor i Kosovës, i ka rekomanduar Policisë që t’i suspendojë tre zyrtarë policorë në Mitrovicën e Jugut.
Dyshohet se ata janë përfshirë në një rast si të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar Arbër Beka nga Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK).
“Incidenti raportohet të ketë ndodhur në Mitrovicë pas mesnatës së datës 2 mars 2025 kur zyrtarët e dyshuar (jashtë detyrës zyrtare por me uniformë) me veturë private kishin ndaluar një automjet me arsyetimin për një kundërvajtje afër sheshit “Isa Boletini” në Mitrovicë duke arrestuar dhe pas kësaj kishin njoftuar një njësi policore në detyrë dhe kishin shoqëruar në stacion policor njërin nga pasagjerët e veturës së ndaluar”, ka thënë Beka për rtv21.tv.
Bazuar në hetimet fillestare, hetuesit e IPK-së dyshojnë se njëri nga zyrtarët policorë të përfshirë si të dyshuar në këtë rast ka pasur probleme të natyrës personale me qytetarin e arrestuar.
“ Veprimet hetimore janë duke u ndërmarrë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit përderisa rasti trajtohet në procedurë të rregullt. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave për këtë rast”, ka thënë tutje ai./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?