Irani paralajmëron Izraelin: Hezbollahu do t’i bashkohet luftës nëse nuk ndalni sulmet

Ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian, i bëri thirrje Izraelit t’i japë fund sulmeve në Gaza, duke paralajmëruar se lufta mund të përhapet në pjesë të tjera të Lindjes së Mesme nëse Hezbollahu i bashkohet betejës.

Amirabdollahian u tha gazetarëve në Bejrut se grupi libanez Hezbollah kishte marrë në konsideratë të gjithë skenarët e luftës dhe se Izraeli duhet t’i japë fund sulmeve në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur. Ndryshe do të pësojë “tërmet të madh”.

Ministri i Jashtëm i Iranit u takua me liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, i cili e informoi për planet dhe kushtet që ata kanë.

“Unë di për skenarët e vendosur nga Hezbollahu. Çdo hap që rezistenca (Hezbollahu) do ta marrë, do të shkaktojë tërmet të madh në entitetin sionist”, ka thënë ai.

“Dua të paralajmëroj kriminelët e luftës dhe ata që mbështesin këtë entitet përpara se të jetë tepër vonë për të ndaluar krimet kundër civilëve në Gaza, sepse mund të jetë tepër vonë për disa orë”, ka thënë Amirabdollahian.

Izraelitët kanë vënë në shënjestër Rripin e Gazës për disa ditë pasi organizata militante palestineze Hamas sulmoi territorin izraelit, duke lënë mijëra viktima. Disa zyrtarë të lartë të Hamasit dhe civilë të shumtë u vranë, pas së cilës Izraeli paralajmëroi të huajt që të largoheshin nga Gaza brenda orëve të ardhshme.

Back to top button