Irani: SHBA po inkurajon terrorizmin në rajon
Sulmet ajrore amerikane të 26 shkurtit, kundër milicive të mbështetura nga Irani në lindje të Sirisë, do të inkurajojnë terrorizmin në rajon, tha një zyrtar i lartë i sigurisë së Iranit.
Uashingtoni tha se ka kryer sulme ajrore ndaj pozicioneve të milicive pro-iraniane në Sirinë lindore, në afërsi të kufirit me Irakun, në përgjigje të sulmeve me raketa kundër caqeve amerikane në Irak.
“Veprimet e fundit të Amerikës forcojnë dhe zgjerojnë aktivitetet e grupit terrorist Shteti Islamik në rajon”, tha Ali Shamkhani, anëtar i Këshillit Suprem të Iranit.
Ai këto komente i bëri gjatë takimit në Iran me ministrin e Jashtëm irakian, Faud Hussein.
“Sulmi ndaj forcave rezistencës kundër terroristëve është fillimi i një raundi të ri të terrorizmit të organizuar”, citohet të ketë thënë ai, transmeton Reuters.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i shoqëruar nga anëtarë të kabinetit të tij, në një vizitë në Pentagon.
Zyrtarët e milicisë irakiane kanë thënë se nga sulmet ajrore të 26 shkurtit është vrarë një luftëtar dhe janë plagosur katër të tjerë.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ka thënë se do të veprojë në mënyrë që të shmanget një përshkallëzim i madh i situatës në këtë rajon.
Shamkhani tha se “ne do ta konfrontojmë planin e SHBA-së për të ringjallur terrorizmin në rajon”, por nuk dha më shumë detaje.
Zyrtarët perëndimorë dhe disa zyrtarë irakianë kanë fajësuar grupet e mbështetura nga Irani, se janë përfshirë në sulmet vdekjeprurëse me raketa mbi caqe të SHBA-së në Irak gjatë muajit të fundit./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?