OBSH: Mos u relaksoni, pandemia s’ka mbaruar

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar sërish botën për rrezikun e vazhdueshëm të pandemisë, duke thënë se relaksimi i masave është i rrezikshëm.

Brazili po përballet me një tragjedi të shkaktuar nga një valë e re e pandemisë Covid-19, ky është alarmi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Për fat të keq, është një tragjedi që Brazili po përballet përsëri me të gjitha këto, është e vështirë. Kjo duhet të jetë vala e katërt me të cilën përballet Brazili”, tha Mike Ryan, drejtori i urgjencës i OBSH.

Ryan vlerësoi sistemin shëndetësor publik të Brazilit dhe veprimin e shtetit për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, por theksoi se transmetimi kombëtar duhet të kontrollohet.

“Brazili ka shumë objekte të jashtëzakonshme të shëndetit publik. Unë besoj se vendi di çfarë të bëjë dhe shumë shtete po përpiqen të zbatojnë masat më të mira. Por nuk është e lehtë pasi nuk ka një pjesë të vendit që nuk është prekur seriozisht nga pandemi”, theksoi Ryan.

Trendi në rritje i vdekjeve dhe infeksioneve të Covid-19 në Brazil duhet të jetë një paralajmërim për të gjithë botën, pandemia nuk ka mbaruar dhe çdo relaksim është i rrezikshëm, shtoi drejtori i urgjencës së OBSH-së.

Deri më tash në gjithë botën janë infektuar më shumë se 114 milionë persona. Nga ta rreth 90 milionë janë shëruar, teksa rreth 2 milionë e 530 mijë kanë vdekur. Raste aktive kanë mbetur gati 22 milionë.

Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të jenë vendi më i prekur, me mbi 80 mijë raste për 24 orë. Gjatë kësaj periudhe mbi 2.200 pacientë humbën jetën. Brazili ka shënuar rreth 64 mijë raste të reja për periudhën 24 orëshe. Mbi 1.300 kanë vdekur si pasojë e virusit./21Media

Back to top button