Ish-Fabrika e Tullave po u rikthehet qytetarëve

Ish-Fabrika e Tullave është një nga objektet që përmes intervenimeve në kuadër të Bienales Manifesta po u rikthehet qytetarëve.
Konsiderohet si hapësira më e rëndësishme post-industriale e Prishtinës. E ndërtuar në vitin 1974, Fabrika e Tullave ishte pjesë themelore e organizimit të infrastrukturës në Kosovë. E pozicionuar në një pikë strategjike, me lehtësi qasjeje me të gjitha zonat e Kosovës, kjo fabrikë procesoi qeramikë dhe materiale të tjera të pastra për të prodhuar tullat që ndërtuan një seri ndërtesash në Prishtinë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit(MKRS) në Facebook ka njoftuar se tulltorja e qytetit do të mbetet hapësirë në shërbim të artistëve dhe qytetarëve të Prishtinës edhe pas “Manifestës”, vend që do të gjallërojë skenën kulturore në zonën përreth.
Një ditë nga fillimi i Bienales këtë hapësirë e vizituan drejtoresha Manifesta, Hedwig Fijen, shefja e kabinetit të MKRS, Klodeta Krasniqi, këshilltarët e ministrit të Kulturës Hajrulla Çeku, Nora Arapi, Rozafa Imami, Liburn Jupolli dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama./21Media

Back to top button