Ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nuk paraqitet në intervistim, nuk jep asnjë arsyetim

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë të ditur se ish-kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, nuk është paraqitur në seancën e fundit për intervistim të thirrur më 18 qershor 2025.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta.
Ndërsa në ftesën e dytë të lëshuar nga Prokuroria Speciale për datën 18 qershor, Rakiq i cili aktualisht është deputet në Kuvendin e Serbisë, nuk ka ofruar asnjë arsyetim për mungesën e tij.
“Lidhur me rastin për të cilin keni adresuar pyetje, ju njoftojmë se z. Goran Rakic kur është ftuar herën e parë e ka njoftuar Prokurorinë Speciale, përmes një raporti mjekësor se ka probleme shëndetësore dhe nuk mund të paraqitet për intervistim. PSRK e ka ftuar sërish më 18 qershor, por ai ende nuk ka paraqitur arsyetim për mos prezencën e tij”, tha Luta.
Prokuroria Speciale njofton se shumë shpejt do të caktojë seancën e radhës për intervistimin e Goran Rakiq.