Ish-Presidenti i Çekisë kërkon largimin e vendit nga BE-ja

Pas vendimit të Brukselit për të ngritur padi kundër tri shteteve të unionit

Ish-Presidenti i Çekisë, Vaclav Klaus , deklaroi se ka ardhur momenti që çekët të fillojnë përgatitjet për largimin e vendit nga Bashkimi Evropian.

Klaus këtë deklaratë e bëri pas vendimit të Komisionit të Evropës që të paditë Poloninë, Hungarinë dhe Çekinë, për shkak të refuzimit të tyre që të pranojnë refugjatë dhe vlerësoi se kjo padi dëshmon qartë se çfarë qëllime ka Evropa me Çekinë, shkruan rtv21.tv

Klaus, i cili dikur ishte euroskeptiku më i zëshëm në mesin e shefave të qeverive dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, u shpreh i bindur se shpëtimi i vetëm për Çekinë është largimi nga unioni, mundësi kjo e cila nuk mbështetet nga qytetarët çekë.

Sipas anketave të fundit në Çeki, mbi 60 për qind e çekëve janë të mendimit se vendi i tyre duhet të qëndroi në Bashkimin Evropian.

Pas vendimit të Komisionit të Evropës për të nisur procedura kundër Polonisë, Çekisë dhe Hungarisë, për shkak të refuzimit të këtyre shteteve që të përfshihen në mekanizimin e zhvendosjes së refugjatëve nga shtetet, të cilat po përballen me trysninë më të madhe, siç janë Greqia dhe Italia, zyrtarët çekë edhe sot kanë përsëritur se pa marrë parasysh kërcënimeve me dënim, ata nuk e kanë në mend të pranojnë refugjatë në bazë të kuotave të përcaktuara, përkundër faktit se nuk e mohojnë se janë të obliguar ta bëjnë këtë.

Për këtë çështje sot u shpreh edhe Presidenti i Komisionit të Evropës,. Zhan Klod Junker, i cili tha se Çekia, Hungaria dhe Polonia do të dënohen, për shkak të refuzimit për të pranuar refugjatë.
Junker deklaroi se këto tri shtete anëtare të unionit ka tashmë mbi një vit që nuk kanë pranuar refugjatë, siç parashihet me programin dyvjeçar të Brukselit për zhvendosjen e mbi 160 mijë refugjatëve.

Ai më tutje shtoi se ky fakt nuk lë asnjë mundësi tjetër, pos vendosjes së sanksioneve kundër Çekisë, Polonisë dhe Hungarisë./21Media

Back to top button