“Isha gati të largohesha… por sërish filluan granatimet”
Një përpjekje e dytë për të evakuuar civilët nga Mariupoli ka dështuar, me të dyja palët që fajësojnë edhe një herë njëra-tjetrën për thyerjen e armëpushimit.
Pas evakuimit të parë të dështuar dje, Maxim, një 27-vjeçar që po kujdeset për gjyshërit e tij në apartamentin e tyre në katin e gjashtë, i tha BBC-së se dita filloi me shpresë dhe përfundoi në dëshpërim:
“Me aq shpejt sa munda, paketova katër çanta për mua dhe gjyshërit e mi me rroba dhe ushqime të ngrohta dhe të gjithë ujin që na mbeti dhe i paketova në makinën time. Menjëherë kur isha gati për të vozitur, granatimet filluan përsëri. Dëgjova shpërthime pranë nesh. E çova gjithçka lart me shpejtësi deri në banesë. Prej aty, pashë tym që dilte nga qyteti dhe tym që ngrihej nga autostrada për në Zaporizhzhia, ku njerëzit supozohej të arratiseshin. Shumë njerëz erdhën në qendër të qytetit sepse dëgjuan se kishte një armëpushim dhe autobusë për t’i nxjerrë jashtë dhe për të ikur nga granatimet atje. Më pas ata nuk mund të ktheheshin në strehimoret e tyre kur filloi përsëri”, tha ai.
Ai thotë tutje se u kanë mbaruar rezervat.
“Kështu që ne kemi futur shumë njerëz në banesë. Ata janë nga ana e majtë e qytetit, thonë se është e shkatërruar. Të gjitha shtëpitë po digjen dhe askush nuk mund t’i shuajë zjarrin. Ka shumë trupa të vdekur në rrugë dhe askush nuk mund t’i mbajë ato. Na ka mbaruar uji i ambalazhuar dhe jemi deri tek uji që kam mbushur në banjë para se të fiken çezmat. Gazi është e vetmja gjë që punon ende, mund ta përdorim për të zier ujin e banjës për të pirë. Sot policia hapi dyqanet dhe u tha njerëzve të merrnin gjithçka, sepse njerëzit këtu nuk kanë ushqim e pije, fqinjët tanë arritën të merrnin karamele, disa peshk dhe disa pije të gazuara”, rrëfen ai.
27 vjeçari e quan armëpushimin një gënjeshtër.
“Armëpushimi ishte një gënjeshtër, njëra palë nuk kishte planifikuar kurrë të ndalonte të shtënat. Nëse ata thonë se ka një armëpushim tjetër ne do të duhet të përpiqemi të shkojmë, por nuk e dimë nëse do të jetë e vërtetë. Ndoshta tani është më mirë të fshihemi”, shtoi ai./21Media