“Ishim bashkë në burgjet e Serbisë”, Kurti rrëfen historinë e mësuesit Osman Jakupi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën e Mësuesit, ka takuar një mësimdhënës me të cilin kishte qëndruar në burgjet e Serbisë.
Kurti tregoi historinë e Osman Jakupit nga Baksi, i cili tha se ishte plagosur e malltretuar në spital e burg, derisa katër familjarë ia kishin vrarë.
“Me mësuesin Osman Jakupi nga Baksi ishim bashkë në burgjet e Serbisë. Ai ishte i plagosur e i burgosur, i malltretuar edhe në spital përveçse i torturuar në burg. Katër anëtarë të familjes i ka të vrarë gjatë luftës, e vetë mësues me ditar në dorë për 45 vjet e 5 muaj”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Gjatë ditës, Kurti ka vizituar edhe Afërditën që është vajza e mësueses së tij.
“Ndërkaq Afërdita është vajza e vetme e mësueses sime Nafije Dobruna-Deva. Kur unë isha nxënës i fillores Afërdita ishte studente e Matematikës, pastaj ajo u bë profesoreshë në Gjimnaz e mandej Asistente në Fakultet të Ndërtimtarisë, në lëndët Matematikë I, II dhe III. Sot, më 7 Mars, i takova për t’ua uruar Ditën e Mësuesit”, ka shkruar tutje Kurti.

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve.
Kjo datë ka zanafillën e hershme, që të kujton themelet e para të shkollës shqip, në fakt ka filluar të kujtohet, që nga viti 1960-të, kur shteti shqiptar vendosi që kjo ditë të jetë festë në shenjë përkujtimi të themelimit të të parës Mësonjëtore shqipe të Korçës, e cila u themelua më 7 mars 1887.
Festa e mësuesit në rrafshin kombëtar shërben për t’i vlerësuar traditat më të mira të shkollës shqipe, pa dyshim edhe figurën e nderuar të mësuesit, por edhe gjithë punonjëseve të arsimit si edukatorë të brezit të ri dhe si kontribuues aktiv të zhvillimit dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.
Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit./21Media

Back to top button