ISIS mori përsipër përgjegjësinë për sulmin në Manchester

Në këtë sulm u vranë 22 persona dhe 59 u plagosën

Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist në Mançester, si pasojë e së cilit u vranë 22 persona.

Pjesëtarët e kësaj organizate terroriste publikuan një video-xhirim në rrjetet sociale, me anë të së cilit morën përsipër përgjegjësinë, njoftoi portali Akbar Irak.

Si pasojë e shpërthimit gjatë koncertit të këngëtares amerikane, Ariana Grande të hënën në mbrëmje, krahas 22 të vrarëve u plagosën edhe 59 persona të tjerë.

Duket se sulmi në koncert ishte paralajmëruar katër orë më herët, me anë të dy porosive, të cilat pjesëtarët e Shtetit Islamik i kishin publikuar në Twitter.
Nga një profil në Twiiter, i cili tashmë është bllokuar, katër orë para sulmit janë përcjellë porositë “Manchester Arena” dhe u publikuan edhe fotografi me flamurin e Shtetit Islamik, njoftoi gazeta Dayli Mail.

Në njërën prej postimeve u përcoll porosia “A keni harruar kërcënimin tonë? Ky është terror i drejtë”.

Ithtarët e Shtetit Islamik anembanë botës kremtuan sulmin në Manchester, i cili u ndërmor nga një sulmues vetëvrasës. Rrjeti social Twitter ka bllokuar dhe ka fshirë shumë porosi, në të cilat u lavdërua dhe u mirëprit sulmi në Manchester dhe në shumë prej këtyre porosive ju bë thirrje myslimanëve që jetojnë në Evropë që të ndërmarrin sulme të ngjashme.

Shërbimet britanike të sigurisë besojnë se sulmuesi vetëvrasës ka vdekur pas shpërthimit dhe këtë sulm e kanë cilësuar si sulm terrorist, shkruan rtv21.tv.

Është ky sulmi i dytë në Britani. Në sulmin të ndërmarrë në qendër të Londrës, më 22 mars, shtetasi britanik, Hali Masud, me automjet hyri në turmën e kalimtarëve, duke lënduar së paku 50 persona, ndërsa u vranë katër të tjerë. Masud u vra nga policia, ndërsa përgjegjësinë për sulmin e mori përsipër Shteti Islamik.

Kryeministrja e Britanisë, Tereza Mej, ngushëlloi familjet e viktimave dhe ndërpreu fushatën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të zhvillohen më 8 qershor./21Media


Back to top button