Ismaili për bisedat mes Kusarit dhe Simiqit: Skandali më i madh politik i këtij pushteti

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se përgjimet e publikuara mes Shefes së grupit parlamentar të LVV-së Mimoza Kusari-Lila dhe Sllavko Simiq nga Lista Serbe, janë “skandali më i madh politik i këtij pushteti”, njofton rtv21.tv.

“Dëshmohet se ky pushtet ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të kërkuar nga Policia e Kosovës dhe i ndodhur në listën e zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dëshmohet bashkëpunimi i fshehtë mes LVV-së dhe Listës Serbe, ani se kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk kanë bashkëpunuar kurrë. Dëshmohet edhe njëherë mendësia e këtij pushteti që kurdo dhe në çdo rast përqesh dhe denigron veprën e UÇK-së, por kësaj here para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit, duke u ankuar për veteranët dhe kërkesat e tyre”, tha Ismaili në një konferencë për media.

“Tani po shihet se ajo e ka mbajtur të fshehtë këtë komunikim, pasi fillimisht e mohoi e pastaj e pranoi bisedën më Radojçiqin, Si është e  mundur se një politikane e lartë e pushtetit komunikon direkt me një njeri të kërkuar nga drejtësia, duke i dhënë atij garanci për procesin ndaj tij dhe për trajtimin e tij nga sistemi i drejtësisë.  Kurdo që politika në mënyrë sekrete garanton një kriminel, është ndërhyrje flagrante në drejtësi dhe rast për t’u hetuar”, u shpreh tutje ai.

“Kryeministri Kurti dhe deputetja Kusari-Lila kanë obligim që të japin llogari për tërë këtë situatë. Nuk mund ta trajtojmë këtë bashkëpunim si diçka të zakonshme e normale. Ky skandal nuk është problemi i vetëm i këtij pushteti, stagnimi në ekonomi, shëndetësi, arsim, çmimet e larta dhe migrimi i vazhdueshëm, janë stagnimet e kësaj qeverie”.

“Dalja nga ky stagnim ka vetëm një emër: Zgjedhjet, duke i dhënë mundësi qytetarëve që me votë ta ndryshojnë e ta përmirësojnë jetën e tyre”, përfundoi Ismaili. /21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button