Ismaili: Shëndetësia duhet të çlirohet nga monopolet

 

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Uran Ismaili, ka kritikuar Qeverinë Hoti dhe Ministrinë e Shëndetësisë, duke thënë se po ndihmojnë në pasurimin e oligarkëve e po varfërojnë qytetarët.

Ismaili ka reaguar pas raportimeve se në laboratorin privat në Prishtinë që është i licencuar për testime molekulare për Sars-COV2, një test PCR po kushton 200 euro.

“Shëndetësia duhet të çlirohet njëherë e përgjithmonë nga monopolet dhe keqpërdorimet që pasurojnë oligarkët dhe varfërojnë qytetarët. Mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe e xhepit të tyre duhet të jetë parimi kryesor i të gjitha politikave shëndetësore. Për këtë arsye, hapi i radhës në ndalimin e zhvatjes në emër të shëndetit do të ishte vendosja e tavanit të çmimit për testime në laboratoret private”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.

Ai ka thënë se duhet të vendoset tavani i çmimit për testime në laboratorët private.

“Për të mbrojtur qytetarin nga predatorët financiarë, para se të licencoheshin laboratoret private, Qeveria është dashur të vendoste tavanet e çmimeve për të gjitha shërbimet që ndërlidhen me pandeminë. Nuk duhet të lejojmë asnjë kompani, sado e fuqishme të jetë ajo, të pasurohet padrejtë në kurriz të pacientëve tanë. Shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve nuk mund të rrezikohet për shkak të interesave financiare të askujt”, ka përfunduar Ismaili./21Media

Back to top button