Isni Kilaj lirohet në Kosovë për t’u mbrojtur në liri

Gjykata Speciale ka njoftuar se sot në më 15 maj, me kushte të rrepta, u lirua Isni Kilaj në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) të datës 3 maj 2024.

“Në vijim ky vendim u konfirmua edhe nga një Panel i Gjykatës së Apelit i DHSK-së më 13 maj 2024. Në Vendimin mbi Rishikimin e Paraburgimit të Isni Kilajt, Gjykatësi i Vetëm konstatoi se ende ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj ka kryer, vetë ose së bashku me të tjerë, vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjykatësi i Vetëm konstatoi gjithashtu se vazhdon të ekzistojë rrezik i moderuar që z. Kilaj të arratiset dhe mund të pengojë ecurinë e procedurave penale dhe të kryejë vepra penale të tjera. Ai konstatoi më tej se asnjë prej kushteve të paraqitura nga Mbrojtja e z. Kilaj dhe asnjë nga kushtet e tjera të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm nuk mund të kufizojnë plotësisht aftësinë e z. Kilaj për të penguar ecurinë e procedurave të DHSK-së dhe për të kryer vepra penale të tjera.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas njoftimit, Gjykatësi i Vetëm arriti në përfundimin se zgjatja e paraburgimit të z. Kilaj në rrethanat aktuale do të ishte e paarsyeshme, duke marrë në konsideratë prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij për liri në rrethanat e zhvillimeve të reja.

“Gjykatësi i Vetëm mbajti parasysh se (i) z. Kilaj është mbajtur në paraburgim për pothuaj gjashtë muaj; (ii) për veprat penale për të cilat z. Kilaj konsiderohet i dyshuar mund të dënohesh nga një (1) deri në (5) vjet; dhe (iii) kërkesa e kohëve të fundit që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i paraqiti Gjykatësit të Vetëm për pezullimin e shqyrtimit të Aktakuzës së dorëzuar prej saj, për shkak se synon të paraqesë një aktakuzë të ndryshuar, vonon në mënyrë të konsiderueshme kalendarin e procesit. Për këtë arsye, Gjykatësi i Vetëm vendosi që rreziqet që do të rezultonin prej lirimit të z. Kilaj nuk peshojnë më shumë se e drejta e tij themelore për liri. Më 13 maj, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e ZPS-së kundër Vendimit. Apeli i ZPS-së fokusohej në kushtet e lirimit të z. Kilaj të urdhëruara nga Gjykatësi i Vetëm. Ndonëse është liruar, z. Kilaj vazhdon të jetë i dyshuar në proceset e DHSK-së dhe lirimi i tij është objekt i kushteve të rrepta të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm, ndër të tjera, që ai: • duhet t’i japë Administratores një garanci financiare (dorëzani) në shumën 30.000 euro si kusht”, thuhet në njoftim./21Media

Back to top button