Italia feston – KFOR vlerëson kontributin e saj në Kosovë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka uruar Italinë me rastin e Ditës Kombëtare të saj.
Në një postim në rrjetet sociale, KFOR thekson kontributin e rëndësishëm të Italisë si një nga 33 shtetet pjesëmarrëse në këtë mision ndërkombëtar.
“Italia është një nga 33 vendet që kontribuojnë me trupa në misionin KFOR. Gëzuar Ditën Kombëtare, aleatëve tanë italianë. #MëTëFuqishëmSëBashku”, thuhet në njoftim.
Italia ka një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë që nga fillimi i misionit KFOR, duke qenë një nga kontribuesit më të mëdhenj me trupa dhe mbështetje logjistike.
Më 2 qershor 1946, në një referendum, italianët votuan për ta kthyer Italinë nga një monarki në Republikë. Pas referendumit, Mbreti Italian Umberto II ikën në mërgim.
Më 2 e 3 qershor 1946 do të mbahej referendumi institucional i shpallur për votim të përgjithshëm, me të cilin italianët thirreshin në kutitë e votimit për t’u shprehur mbi formën e qeverisjes që donin t’i jepnin vendit pas rënies së fashizmit, monarki apo republikë.
Pas 85 vjetësh mbretëri, me 12 milionë e 718 mijë e 641 vota pro dhe 10 milionë e 718 mijë e 502 kundër, Italia bëhet Republikë dhe monarkët e shtëpisë së Savojës emigrojnë.
Më 2 qershor festohet lindja e kombit, në mënyrë të ngjashme me 14 korrikun francez (përvjetori i marrjes së Bastiles) dhe më 4 korrikun e Shteteve të Bashkuara – ditë në të cilën më 1776 ishte nënshkruar deklarata e pavarësisë.
Është një moment shumë i rëndësishëm edhe për faktin se në botë jetojnë rreth gjashtëdhjetë milionë pasardhës të italianëve të emigruar dhe katër milionë e pesëqind mijë me pasaportë italiane që jetojnë jashtë vendit.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?