Iu përmend emri nga “Freedom House”, reagon Haradinaj

Në raportin për demokracinë, të organizatës amerikane “Freedom House”, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, janë etiketuar si figura që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin në Kosovë.
“Figura kryesore politike në Kosovë, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, kanë lidhje me krim të organizuar e korrupsion të nivelit të lartë, që kanë rol të madh në politikë dhe ndikojnë në vendosjen e liderëve kyçë”, thuhet në raportin e “Freedom House”.
Lidhur me këtë raportim ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke thënë se si kryeministër, por edhe tash, ka punuar dhe vazhdon të punoj për sundimin e ligjit dhe demokracinë.
“U përhap me bujë raporti i Freedom House për demokracinë në Kosovë. Në njërin prej paragrafëve përmendet edhe emri im. Dua të ju siguroj se edhe si Kryeministër por edhe tash, kam punuar dhe vazhdoj të punoj për sundimin e ligjit dhe demokracinë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ai gjithashtu ka thënë se do të jetë në krye të detyrës, që kësaj “Qeverie t’i bëjë opozitë duke i treguar popullit për gabimet e saj në qeverisje”./21Media

Back to top button