Izraeli ndalon udhëtimet për shkak të Omicron

Qeveria e Izraelit ndaloi udhëtimet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe tetë shtete tjera, për shkak të përhapjes së shpejtë të variantit Omicron të koronavirusit.
Ky vendim i rrallë për ta vendosur SHBA-në në listë të kuqe vjen në kohën kur numri i të infektuarve me koronavirus në Izrael është rritur dukshëm.
Shtetet e Bashkuara do t’iu bashkohen vendeve evropiane dhe destinacioneve tjera drejt të cilave Izraeli e ka ndaluar udhëtimin dhe prej të cilave udhëtarët kur të kthehen në Izrael, duhet t’i nënshtrohen karantinës.
Kryeministri Naftali Bennett në një adresim televiziv tha se “tri javë më parë paralajmërova qytetarët se një valë e re e variantit Omicron po vjen. Një ditë më vonë, Komiteti COVID ndërhyri dhe vendosëm si vendi i parë në botë, të ndalonim shtetasit e huaj të hyjnë në Izrael. Koha që fituam me masa të hershme po skadon dhe Omicron po përhapet shpejt”.
Vendet tjera që pritet t’i shtohen listës së kuqe nga dita e mërkurë janë: Belgjika, Gjermania, Hungaria, Italia, Maroku, Portugalia, Zvicra dhe Turqia.
Izraeli ka zhvilluar imunizim të shpejtë të popullatës kundër këtij virusi. Deri më tani, 4.1 milionë banorë nga 9.3 milionë sa ka Izraeli, kanë marrë dozën e tretë të vaksinës së prodhuar nga Pfizer/BioNTech./21Media

Back to top button