Izraelitët në protestën më të madhe kundër qeverisë

Dhjetëra-mijëra izraelitë dolën para parlamentit në Jeruzalem të dielën, në protestën më masive antiqeveritare që kur filloi lufta në tetor. Ata i kërkuan qeverisë të arrijë një marrëveshje për të liruar dhjetëra pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gazë dhe të mbajë zgjedhje të parakohshme.

Gjashtë muaj luftë kanë thelluar ndasitë në shoqërinë izraelite. Grupi militant Hamas vrau rreth 1200 vetë gjatë sulmit të 7 tetorit dhe mori peng 250 të tjerë. Afro gjysma e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi të përkohshëm njëjavor në nëntor, por përpjekjet e vazhdueshme të ndërmjetësve ndërkombëtarë për të siguruar një marrëveshje tjetër armëpushimi, kanë dështuar.

Kryeministri Benjamin Netanjahu është zotuar ta shkatërrojë Hamasin dhe të kthejë të gjitha pengjet. Por këto synime nuk janë realizuar dhe familjet e pengjeve druhen se nuk ka mbetur shumë kohë për t’i shpëtuar ata.

Protestuesit në Jerusalem thanë se Qeveria ka dështuar në misionin e saj për të kthyer pengjet dhe akuzuan kryeminstrin Netanyahu si pengesën kryesore. Organizatorët e protestës u zotuan se do të vazhdojnë demonstratat. Ata i kërkuan qeverisë të shpallë zgjedhje të parakohëshme, rreth dy vjet përpara afatit.

Zoti Netanjahu, në një fjalim televiziv para kombit përpara se t’i nënshtrohej një një ndërhyrjeje kirurgjike tha se e kuptonte dhimbjen e familjeve të pengjeve. Kryeministri izraelit përsëriti gjithashtu zotimin e tij për një ofensivë ushtarake tokësore në Rafah, qyteti jugor i Gazës ku strehohet më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të territorit.

Aleatët dhe grupet humanitare kanë paralajmëruar se një ofensivë nga toka në Rafah, do të ishte katastrofë./21Media

Back to top button