BE-ja ka humbur apetitin për Ballkanin!

Sipas revistës “American Interest”

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, pas intervenimeve ushtarake të perëndimit në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, ende mbetet i trazuar, vlerësoi revista amerikane, Ameriken Interest. Revista shkroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke besuar se ardhmëria demokratike e Ballkanit Perëndimor është në anëtarësimin e shteteve të rajonit në Bashkimin Evropian, përgjegjësinë për zhvillimin politik, ekonomik dhe institucional të rajonit e ka lënë në duart e unionit.

Megjithatë, Evropa nuk ka kryer punën në tërësi, pasi që pas pranimit të Kroacisë dhe Sllovenisë, unioni ka humbur apetitin për zgjerim dhe ka mbajtur duke pritur në prag shtetet tjera të rajonit, Bosnjë, Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Brexiti, kriza e refugjatëve, forcimi i ndjenjave anti-evropiane gjatë viteve të fundit kanë dridhur themelet e Bashkimit Evropian dhe kanë ndërprerë procesin e pranimit të shteteve të reja anëtare.

Në anën tjetër, Rusia ka konfirmuar rolin e saj tradicional të mbrojtësit të popullatës sllave, duke shfrytëzuar Ballkanin si një tampon zonë, me qëllim që të parandaloi shtrirjen e mëtutjeshme të Evropës dhe për të forcuar sferën e saj të interesit. Moska ka ndikuar në qëndrimin e serbëve, malazezëve dhe të maqedonëve, në mesin e të cilëve vërehet një zbehje e entuziazmit për anëtarësimin e shteteve të tyre në Bashkimin Evropian dhe në NATO, vlerësoi Ameriken Interest. Kanë vepruar edhe Turqia dhe shtetet e Gjirit të Arabisë, të cilat kanë forcuar mbështetjen për myslimanët në rajon. Arabia Saudite ka ndërtuar xhami dhe ka dërguar klerik në Ballkan, shumë prej të cilëve angazhohen për ngulitjen e formave konservatore të islamit.

Pa joshjen e shteteve të rajonit në institucionet perëndimore, forcimi i fundamentalizmit fetar me gjasë do të bëhet normë në rajon, vlerësoi revista. Perëndimi gjendet para një zgjidhje të vështirë. Ose do ta trajtoi Ballkanin si mjet strategjik, apo në të kundërtën rrezikon ta humb rajonin si pasojë e ndikimit rus, krahas infiltrimit të ekstremizmit islamik, konstaton Ameriken Interest./21Media

Back to top button