Jabllanoviq i reagon Kurtit: I jap 1 banesë dhe 500 mijë euro, të më tregojë se ku është banesa tjetër

Politikani serb,  Aleksandar Jabllanoviq ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili tha se ka dyshime se Jabllanoviqit iu janë ofruar 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd për t’u tërhequr nga gara për kryetar të Leposaviqit.

Jabllanoviq ka ironizuar duke thënë se është i gatshëm t’ia jap Kurtit “një banesë dhe 500 mijë euro, në rast se ai i tregon se ku është banesa tjetër dhe pjesa tjetër e parave”.

“Në një sistem serioz demokratik, sot për intervistim në prokurori do të ishte z. Albin Kurti apo unë. Meqë jemi larg nga demokracia, unë po i jap kryeministrit 1 banesë dhe 500 mijë euro, por po e lus të më tregojë se ku është banesa tjetër dhe pjesa tjetër e parave”, ka shkruar Jabllanoviq në Twitter.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se ka dëgjuar që Aleksander Jabllanoviq kishte fituar 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd, për tërheqje nga gara zgjedhore në veri. Ai u është drejtuar qytetarëve nga komuniteti serb në Kosovë duke u thënë se zgjedhjet e parakohshme në komunat veriore janë të nevojshme, por me një fushatë të lirë parazgjedhore./21Media

Back to top button