“Jakova” përkujton historianen Drita Bakija Gunga

 
Të enjten më 26 gusht 2021, në një ngjarje që do të zhvillohet në Parkun Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” përkujton doktoreshën e parë të historisë në Kosovë, Dr. Drita Bakija Gunga.
Për kontributin profesional të të ndjerës, do të flasin Akademik Frashër Demaj dhe Mrs. Mevlyde Mezini Saraçi, si dhe familjari të ndjerës Lorik Bakija, që do të lexojë pjesë nga libri “Vepra e saj” e Alketa Xhafa Mripa që i kushtohet historianes Bakija Gunga.
Doktoresha e historisë Drita Bakija Gunga, u nda nga jeta më 26 gusht 2020, në moshën 77 vjeçare. Ajo ishte gruaja e parë në Kosovë me titullin doktor i historisë. Gratë e Kosovës ishin fokusi i hulumtimeve e studimeve të saj profesionale, duke dhënë kontribut veçanërisht për hedhje në dritë të rolit dhe aktivitetit të grave të Kosovës para, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Drita Bakija Gunga ishte e angazhuar në politikë-bërjen e shqiptarëve të Kosovës në vitet 90-të. Ndër angazhimet e të ndjerës numërohet edhe zgjedhja e saj në kryesinë e parë të Shoqatës së Gruas në mars 1990.
Pos veprimtarisë shkencore, historiania Bakija Gunga, çmohet edhe për performancat e saj në Teatrin e Gjakovës, si ndër të parat aktore gra që shkelën mbi skenën teatrore./21Media

Back to top button