Japonia nga 25 marsi i heq vizat për kosovarët me pasaporta diplomatike dhe zyrtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada e Japonisë me rastin e ditëlindjes së perandorit.

Kurti pas kësaj pjesëmarrje njoftoi se “Shteti i Japonisë nga 25 marsi do t’i heq vizat për kosovarët me pasaporta diplomatike dhe zyrtare”.

Pjesëmarrja e tij vjen pas takimit të mbajtur gjatë ditës me ambasadorin jorezident të Japonisë, Ryuta Mizuuchi.
Kurti në emër të Kosovës ka dërguar urime të ngrohta për perandorin.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, t’i dërgoj urimet tona më të ngrohta Madhërisë së Tij Perandorit Naruhito me rastin e ditëlindjes së tij. Ne përcjellim urimet tona më të përzemërta për shëndet të mirë, begati dhe përpjekje fisnike të Madhërisë së Tij për popullin japonez”, ka thënë Kurti.

Kurti gjatë fjalimit përmendi edhe Dr. Sadako Ogata, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët me origjinë japoneze, i cili ka luajtur një rol kryesor në ofrimin e ndihmës për refugjatët në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, dhe profesorin Hisashi Oëada, ish-kryetar i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili udhëhoqi Opinionin e GJND-së më 22 korrik 2010, ku u pohua se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare , kontribut për të cilin Kosova është thellësisht mirënjohëse.

Kryeministri shprehu dhe mirënjohjen e thellë për Qeverinë e Japonisë për partneritetin e saj të palëkundur dhe mbështetjen thelbësore në sektorë të ndryshëm të zhvillimit./21Media

Back to top button