Jasharaj: Kemi mbështetjen e Unionit të Sindikatave të Evropës, greva vazhdon

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj deklaroi se greva do të vazhdojë.
Jasharaj tha se janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me Unionin e Sindikatave të Evropës dhe se kanë pranuar letër mbështetjeje në emër të 10 milionë anëtarëve.
“Jemi në komunikim edhe me vëllezërit tonë nga Shqipëria, të cilët në emër të sindikatës kanë ardhur në Kosovë për të shprehur mesazhin e solidaritetit dhe mbështetjes. SBASHK-u dhe sindikatat tjera janë të hapura për të dialoguar me Qeverinë. Deklarata e ministres së Arsimit se dyert janë të hapura, por SBASHK-u nuk do dialog janë një porosi e gabuar. Në të kalurën jemi takuar me të, por tani nuk po ka kohë sepse po shkon në vizita”, tha Jasharaj.
Ndërsa, kryetari i SPASH-it, Nevrus Kaptelli i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti dhe ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci që të ulet e të bisedojë me SBASHK-un.
“Sindikata e Pavarur e Arsimit në Shqipëri që unë përfaqësoj vlerëson ndihmën që Qeveria e Kosovës ka dhënë për qytetarët e saj gjatë pandemisë dhe krizës me fillimin e luftës në Ukrainë. Ajo që kemi përfituar ne në Shqipëri ka qenë disa herë më e vogël se ajo që ka dhënë Qeveria juaj. Por, sot jam këtu për të mbështetur vëllezërit tanë të SBASHK-ut në grevën që kanë nisur për të realizuar ato kërkesa që ne i vlerësojmë të drejta”, ka thënë ai./21Media

Back to top button