Jasharaj lëshon mbledhjen e Komisionit për Arsim

Me tone dhe përplasje të ashpra si dhe me tensione u zhvillua mbledhja e Komisionit për Arsim me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit. Tensionet u ngritën kur fajal iu dha deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha, që nuk është anëtar i Komisionit që akuzoi sindikalistët për grevën. Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, në mënyrë demonstrative doli nga takimi por tensionet e debati i ashpër vazhdoi në korridor të Kuvendit në praninë e kamerave.
Kryetari i Këshillit Grevist, Rrahman Jasharaj, gjatë debatit pësoi molisje dhe atij iu ofrua ujë, tha se për dallim nga vitet e 90-ta kur figura e mësuesit është ruajtur sot ajo po përbaltet. Ai tha se për nëntë muaj Qeverisë dhe deputetëve u janë dërguar më shumë se 80 shkresa dhe se të gjitha lutjet e tij për zgjidhje të problemit, janë keqpërdorur.
“Partia në pushtet bashkë me eksponentët e vet, madje edhe me deputetë, madje edhe ministren Nagavci që duhet të jetë personi i parë që duhet të dërgojë mesazhe qetësie, ndodhi e kundërta. U tentua që Rrahman Jasharaj të shpallet armik i vendit, një njeri që tërë jetën ia kushtoi arsimit dhe asnjëherë nuk u distancua asnjë deputet i pozitës e as kryeministri. Madje uroj që disa deputetëve dhe kryeministrit dhe të tjerëve të kenë një atmosferë të njëjtë që e kam unë në shtëpi dhe në familje. Uroj që kjo të ju ndodhë nga Zoti”, tha Jasharaj.
Ndaj fjalës së Jasharaj reagoi kryetari i komisionit, Ardian Gola.
“Nuk do të doja që të përmendni emra specifik, emrat e përveçëm në mungesë…
Jasharaj: A isha unë në parlament kur u bullizova. Nëse ma ndalni fjalën, unë po shkoj në shtëpi.
Gola: Për shkak se nuk është as kryeministri as ministri të mbrojnë veten, ti ngrite shqetësimin pa përmendur emrat e përveçëm.
Jasharaj: Po ta jap besën që nuk flas më sot.
Por Jasharaj dha përsëri përgjigje në lidhje me kërkesat që kanë për të dalë nga greva. Ndërkohë, Ymer Ymeri nga BSPK, tha se janë 13 shkolla të plota dhe dy prej klasës 1 deri në 5 që po mbajnë mësim aktualisht. Ai foli për kërkesat që i janë paraqitur Avokatit të Popullit.
“Ajo pako prej 50 euro që ka ofruar qeveria deri në muajin dhjetor të vazhdojë dhe të fillojë nga muaji shtator. Dhe të ketë një rritje të pagës nga shtatori deri në dhjetor 10,45 për qind, aq sa ka qenë rritja ekonomike në vitin 2022. Është një plotësim i kërkesave për pikën që na tregon për 100 euro. Ndërkaq, nga muaji janar kemi kërkuar siç e kemi në Kontratë Kolektive të futet shkalla e inflacionit që është në vitin 2022 dhe shkalla e rritjes ekonomike sa do të jetë”, tha Ymer Ymeri, koordinator për organizim të brendshëm në SBASHK.
Një lutje për Rrahman Jasharajn kishte anëtari i Komisionit për Arsim, deputeti i VV-së Jahja Kokaj, për ta mbyllur grevën sot.
“Hajde t’i ndërpresim sot e pastaj të gjendet modaliteti. Për Zotin gjendet modaliteti”, tha Koka.
Jasharaj tha se nuk e ka shpallur grevën e as nuk mund ta mbyll dhe këtë e vendos anëtarësia.
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati e cilësoi diskutimin në Komision si një turp.
“Është marre ky lloj diskutimi sidomos kur kemi të bëjmë me këta njerëz që në vend se neve të na dridhen duart, këtyre po ju dridhen duart kur po flasin para neve, po ndihen sikur në gjyq. Është e turpshme… Ne vazhdojmë të marrim 160 euro për një orë duke ju shitur mend juve, leksione e pallavra për të treguar këtu se kush është këtu më akademik”, tha ai.
Pas daljes nga mbledhja e Komisionit për Arsim, e cila është përcjellur me shumë debate e tensione, Jasharaj para mediave komentoi debatin me deputetin Basha.
“E kam përcjellur në paraqitjet e tij, janë të vrazhda, fyese dhe ofenduese. Dhe është pikërisht ky që jep vlerësime se a i kemi 67 apo 68 për qind të njerëzve tanë analfabetë. Dhe unë e kam ditur që ai asnjë debat, as një fjalë të hajrit nuk do ta thotë sot. Debati i tij nxiti edhe tensionime. Ne nuk jemi që të tensionohet situata, ne jemi që të kemi njerëz me mesazhe pozitive…”
Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj shprehu poashtu gatishmërinë që të marrë pjesë në takimin mes drejtoreshës së përgjithshme të Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës, Susan Flocken dhe takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti. Megjithatë tha se, nuk dihet ende se kush do të marrë pjesë në atë takim./21Media

Back to top button