Haradinaj: Kurti e Nagavci t’i kërkojnë falje Kosovës

(Lajm i përditësuar)
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk e kupton “pafytyrësinë” e kryeministrit Albin Kurti dhe të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, në çështjen e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore.
Ai ka thënë të martën pas takimit me kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, se Kurti e Nagavci do të duhej t’i kërkonin falje Kosovës, duke shtuar se prindërit do ta kenë të vështirë furnizimin me tekste për fëmijët e tyre.
“Këto kam ardhur me dy qëllime: të mësoj edhe më afër se si është gjendja me këtë situatën me tekstet, për shkak se informatat që i kemi marrë janë mjaft shqetësuese. Për fat të keq, ajo që mësova edhe nga biseda, është se është një situatë jo e mirë. Pra, nga praktika që tekstet do t’i kenë në shkolla, për prindërit do të jetë një luftë e vërtetë për t’i siguruar këto tekste, e përfshihet edhe problemi i kostos. Shumë prindër janë në vështirësi ekonomike. Mund të mos i kenë në prioritet tekstet…Nuk e kuptoj pafytyrësinë e Kurtit dhe të ministres, të paktën një kërkimfalje Kosovës. Kosova i paguan ata që në pranverë të kryhet çështja e teksteve për vjeshtë. Ata njerëz pa asnjë keqardhje dalin dhe i tallin të gjithë. Kjo situatë, në rrethana të njerëzve normalë, ndryshe duhet të ishte”, u shpreh Haradinaj.
Jasharaj: Mësimi fillon më 1 shtator, por pa tekste shkollore
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, deklaroi se procesi mësimor do të filojë më 1 shtator, por shtoi se shumë nxënës e mësimdhënës nuk do t’i kenë tekstet shkollore.
Pas takimit me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, Jasharaj u shpreh se mësimdhënësit janë të indinjuar me situatën e krijuar për tekstet shkollore, e prindërit “janë të nervozuar dhe të prekur”.
“Pikëpyetja më e madhe është se grevë s’ka, mësimi fillon të premten, por do të kemi nxënës dhe mësimdhënës pa mjetin e vetëm fatkeqësisht, pa tekste shkollore. Nuk dihet kur do të arrihet të kompletohemi me tekste shkollore”, ka thënë Jasharaj.