Jasharaj paralajmëron protestë e grevë nga 1 shtatori

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka zhvilluar takim të rregullt me kryetarët sindikalë nëpër komuna dhe ata të universiteteve, ku është diskutuar për situatën aktuale në arsim.
Jasharaj, përmes një komunikate dërguar mediave, tha se në takim ka pasur edhe kritika për “tendencën e ministrit Murati që të mohojë me ndryshime të ligjeve aktuale të drejtat e e fituara të punëtorëve të arsimit”.
Tutje Jasharaj, ka shkruar se “Nëse Qeveria vazhdon kështu, atëherë protestat e grevat do të rikthehen dhe fajtorët janë Kryeministri Kurti, Ministri Murati e Ministrja Nagavci dhe jo vetëm”.
“Duke parë se po vazhdon bllokimi i nënshkrimit të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, duke parë se ministrja Nagavci vazhdon me inatet dhe nuk përfaqëson kërkesat e punëtorëve të arsimit dhe mundohet ta mohojë edhe Kontratën Kolektive për Arsimin e Kosovës, pjesëmarrësit në këtë takim kanë nxjerr si përfundim se duhet vazhduar me bashkë-bisedat me anëtarësinë dhe duhet rikthyer veprimet sindikale duke filluar me një protestë me gjithë udhëheqësit sindikal të shkollave, çerdheve dhe universiteteve e institucioneve të kulturës e nëse Qeveria Kurti vazhdon me qasjen e njëjtë injoruese atëherë të vazhdohet me veprime sindikale duke paralajmëruar se do të përsëritet viti 2022 me një grevë të përgjithshme më 1 shtator, e cila do të vazhdojë deri në plotësimin e plotë të kërkesave të anëtarësisë”, thuhet në komunikatë.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?