Jazhinca e Tetovës 30 vjet në pritje të një mjeku

Fshati Jazhincë e ka objektin e ambulancës të gatshëm, por nuk funksionon për shkak se nuk ka mjek. Ky fshat gjendet në kufi me Kosovën, ndërsa i takon Komunës së Jegunovcës. Banorët vazhdimisht kanë kërkuar mjekë, por pa sukses.
Sipas kryetarit të bashkësisë lokale, ata duhet të udhëtojnë deri në qytet apo fshatra të tjera për kontrolle mjekësore.
“Nuk ka pasur mjek asnjëherë, por ne kërkesat i kemi bërë të vazhdueshme. Tash për momentin jemi duke prit një mjek të vijë nga Ministria e Shëndetësisë, por ende nuk ka ardhur. Për tu mjekuar shkojmë në Vratnicë, Tearcë dhe në Tetovë. Është larg dikush ka mjete dikush nuk ka mjete edhe ja bëjnë disi e shkojnë. Ne kemi bërë moti kërkesë. Edhe ambulancën e kemi ndërtuar vetë, me vetkontribut. Ambulanca është e mbaruar para 30 viteve”, tha Nafi Bexheti, kryetar i bashkësisë lokale Jazhincë.
Nga Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut thonë se gjatë këtij muaj do të hapin sërish tender për ta dhënë këtë ambulancë me koncesion.
“Nga shtëpia e shëndetit në Tetovë informojnë se procedurat për hapjen e sërishme të tenderit për të dhënë ambulancën me koncesion por rrjedhin. Hapja e tenderit për dhënien e ambulancës me koncesion do të realizohet brenda këtij muaj”, thonë nga Ministria Shëndetësisë.
Bexheti thotë se kërkojnë mjek që nga koha kur Bujar Osmani ka qenë ministër i Shëndetësisë.
“Përpara thoshin pleqtë ku s’ka mjek e ku s’ka shkollë e xhami duhet nga ai fshat të largohesh, por fshati jonë ka pozitë të mirë. E ka rrugën, të gjitha kushtet i kemi bërë dhe mos ketë mjek! Ne kërkesë kemi bërë në Shkup, unë jam afër 12 vite kryetar i bashkësisë lokale. Nga koha kur ishte Bujar Osmani ministër i Shëndetësisë ai na premtoi 100% se do lëshojmë mjek”, tha ai.
“Derisa ministria të siguroj një mjek rural, kjo ambulancë do të vazhdojë të qëndroj e mbyllur, ndërsa banorët e Jazhincës do vazhdojnë të udhëtojnë me kilometra për të marr shërbimet e tyre mjekësore”, raporton Senat Zylbeari, TV21.
Banorët gjithashtu ndjehen të revoltuar dhe diskriminuar se si mundet ministri të gjejë mjek për fshatin Vratnicë, ndërsa jo edhe për Jazhincën./TV21

Back to top button