Jep dorëheqje zëvendësdrejtori i IML-së, Naim Uka

Zëvendësdrejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Naim Uka, ka dhënë dorëheqje.
Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar vetë Naim Uka.
“Kam dhënë dorëheqje morale dhe të parevokueshme nga pozita e zv. Drejtorit të IML-së”, tha ai në një përgjigje me shkrim për rtv21.tv.
Dorëheqja e Ukës vjen një ditë pasi u bë e ditur se mostrat e Astrit Deharit janë zhdukur nga laboratorët e IML-së.
Gjatë ditës së djeshme, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ka njoftuar se janë zhdukur mostrat e gjakut, urinës e lukthit të aktivistit të vdekur të LVV-së, Astrit Dehari.
Ministria e Drejtësisë, dje bëri të ditur se lidhur me këtë rast janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Të pezulluarit, sipas kësaj ministrie janë Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë, si dhe Ilirjana Shala, Kimiste./21Media

Back to top button