Jep dorëheqje zëvendësministrja e Drejtësisë
Nita Shala ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendësministres së Drejtësisë.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar vetë Shala.
“Po, kam kërkuar dorëheqjen dhe nuk shërbej më në cilësinë e Zëvendësministres së Drejtësisë”, ka konfirmuar ajo.
Arsyeja e dorëheqjes, sipas saj është vendimi i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që shërben në detyra publike.
“Dorëheqja vjen si pasojë e vendimit të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, i cili ndalon emërimin, riemërimin dhe avancimin e stafit akademik që shërbejnë në detyra publike. Marrë parasysh përgatitjen time dhe përkushtimin për të kontribuar në ngritjen e brezave të juristëve të ri në Republikën tonë, vazhdimi i ushtrimit të funksionit të Zëvendësministres më është pengesë në përmbushjen e qëllimeve akademike”, ka thënë Shala për rtv21.tv.
Nita Shala ka shtuar se shërbimi në pozitën e Zëvendësministres në Kabinetin e Kryeministrit Kurti ka qenë nder për të.
Shala ishte emëruar Zëvendësministre e Drejtësisë më 30 mars 2021.
Portali rtv21.tv ka siguruar edhe kërkesën e Nita Shalës për dorëheqje të dërguar më 19 tetor 2022./21Media