Pupovci i tha Nagavcit se e ka “të pamundur të vazhdojë në këtë pozitë”
(Lajm i përditësuar)
Zëvëndësministri, Dukagjin Pupovci e ka njoftuar ministren e MASHTI-it, Arbërie Nagavci se për arsye personale, e ka të pamundur të vazhdojë në këtë pozitë. Kështu ka thënë për portalin rtv21.tv Edona Kutleshi nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Ajo ka thënë se Pupovci nuk e ka paraqitur ende dorëheqjen formale.
“Për korrektësi, dorëheqjen formale nuk e ka paraqitur akoma, por ka njoftuar se këtë do ta bëj në kohën e duhur, sapo t’i përfundojë edhe disa punë të cilat i ka filluar dhe në koordinim me Ministren dhe Kryeministrin”, ka thënë Kutleshi për rtv21.tv
Ministria ka bërë të ditur se zëvëndësministri Pupovci ka thënë se do të jetë në këtë pozitë deri në fund të këtij viti.
20:44- Jep dorëheqjen zëvendësministri Pupovci
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci, ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij zyrtare.
Këtë e konfirmuan burime brenda ministrisë për portalin rtv21.tv.
Pupovci ka dorëzuar dorëheqjen, mirëpo sipas burimeve ai këtë pozitë do ta ushtrojë deri në fund të këtij viti.
Arsyet e dorëheqjes së tij nuk janë bërë të ditura.
Portali rtv21.tv ka provuar të kontakojë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, por nuk ka dhënë përgjigje.
Pupovci ishte emëruar zëvendësministër në prill të vitit 2021./21Media