Jon Batiste fituesi kryesor i “Grammy Awards 2022”, e pranishme ishte edhe Dua Lipa

Ceremonia e shpërblimeve për muzikë “Grammy Awards 2022″ u mbajt të dielën në Los Angelos. Fituesi kryesor i mbrëmjes është Jon Batiste, i cili u shpërblye me pesë çmime, përfshirë këtu çmimin për Albumin e Vitit “We Are”.
Në ngjarje ishte e pranishme edhe ylli botëror me prejardhje kosovare, Dua Lipa, por ajo kësaj radhe shkoi atje për të prezantuar çmim. Lipa si çdo herë u duk mahnitëse. Ajo tërhoqi vëmendje me një kostum të zi Versace, por edhe flokët, tani të bardha.
Sa i përket çmimeve, Jon Batiste, i cili në ngjarje shkoi me 11 nominime, fitoi pesë prej tyre, përfshirë këtu atë për Albumin e Vitit, për “We Are.”
Bendi Silk Sonic, që përbëhet nga talentët muzikor Bruno Mars e Anderson Paak, u shpërblye me katër trofe, përfshirë këtu trofeun për Këngën e Vitit “Leave The Door Open”, ndërkohë që Olivia Rodrigo e Foo Fighters u shpërblyen me nga tri Grammy.
Fitorja e tyre erdhi pasi që festa e mbrëmjes u hijezua paksa. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky iu drejtua publikut përmes një videoje. Ai foli për numrin e personave të lënduar e vrarë në luftën në Ukrainë, përfshirë këtu edhe fëmijët. Zelensky tha se muzicientët e tyre në vend të smokingëve kanë vënë parzmoret, se po luftojnë me Rusinë. Ai përfundoi fjalimin e tij me fjalët: “ Tregoni të vërtetat për luftën në mediet sociale apo TV, na përkrahni në çdo mënyrë që mundeni, por jo me heshtje. Dhe më pas, paqja do të vijë në të gjitha qytetet tona”.
Megjithatë ngjarja vazhdoi. U prezantua radha e artistëve të shpërblyer me Grammy. Me çmimin Artistja më e mirë e Re u vlerësua Olivia Rodrigo. Kjo këngëtare u bë yll muzike në vitin 2021 me këngën hit “Drivers License”.
Këngëtarja 78 vjeçare, Joni Mitchell u shpërblye me çmimin e nëntë Grammy, kësaj radhe për Albumin më të mirë Historik.
Këngëtari Chris Stapleton u shpërblye me Grammy në kategorinë për solo performancën më të mirë kantri për “You Should Probably Leave”.
Si zakonisht edhe në “Grammy Awards 2022” pati performime muzikore. Në mesin e atyre që interpretuan për publikun ishin: Lady Gaga, Silk Sonic, Olivia Rodrigo, Lil Nas X, John Legend, BTS, Billie Eilish e shumë të tjerë./21Media

Back to top button