“Jonada zemër, pse nuk kthehesh me ne në Angli?” Mes shumë protestuesve edhe fëmijë
Në protestën e sotme para Ministrisë së Brendshme për vdekjen e vogëlushes 7-vjeçare në Himarë, ka pasur një pjesëmarrje të lartë edhe të fëmijëve, të cilët kanë ardhur me prindërit e tyre për sensibilizimin e autoriteteve për ngjarjen e rëndë.
Ata kanë mbajtur pankarta në duar me mesazhe të ndryshme si “Nuk do të kthehemi as ne, pa drejtësi për ty!”, “Jonada zemër, pse nuk kthehesh me ne në Angli?”.
Ndërkohë, një qytetar në protestë ka shprehur revoltën e tij për këtë ngjarje të rëndë, duke thënë se qeveria duhet të japë dorëheqjen.
Ai është shprehur se ka ardhur në Shqipëri për pushime dhe nuk e ndjen veten aspak të sigurt qysh kur ka shkelur në vend.
Ngjarja e rëndë është regjistrua të martën e 2 gushtit 2022 në plazhin e Potamit në Himarë, ku 7-vjeçarja Jonada Avdia humbi jetën pasi u përplas nga skafi i drejtuar nga Arjan Tase./oranews