Ka nisur procedura e amandmentimit të Ligjit për personat e zhdukur, këtë vit pritet të shkojë në Kuvend

Një ditë para Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur, Kryeministri Albin Kurti sot priti në takim Kryesinë e Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur të Kosovës, me ç’rast tha se tashmë ka filluar procedura e amandmentimit të Ligjit për personat e zhdukur dhe se pritet të shkojë në Kuvend brenda vitit.
Kryetari i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të Zhdukur, Ahmet Grajçevci e  njoftoi kryeministrin Kurti për aktivitetet dhe punën që ka bërë Këshilli për të ndihmuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë në luftën çlirimtare.
Siç bëri të ditur zyra e Kryeministrit, Grajçevci ia shprehu përkrahjen kryeministrit Kurti për angazhimin dhe priroritetin që ia ka dhënë çështjes së personave të zhdukur në takimet që ka patur me presidentin e Serbisë në Bruksel.
Siç u potencua, ai tha se e konsiderojnë shumë të drejtë kërkesën e kryeministrit Kurti për hapjen e arkivave të Serbisë sepse, siç tha ai, krimet që kanë kryer forcat serbe të sigurisë në Kosovë, janë bërë me urdhër komandues dhe bartja e fshehja e kufomave është administruar nga shteti serb.
“Kryesia e Këshillit tha se e përkrahin plotësisht kërkesën e kryeministrit Kurti për largimin e Veljko Odalloviqit nga udhëheqja e Komisionit Qeveritar të Serbisë për të Zhdukurit. Sipas tyre, Odalloviqi si ish-zyrtar i lartë i Serbisë në Kosovë ka njohuri për vendndodhjen e varrezave, por nuk është treguar konstruktiv në bashkëpunim. Kryesia e Këshillit e njoftoi kryeministrin edhe për përgatitjet që i kanë bërë organizatat dhe asociacionet për shënimin e Ditës Ndërkomëbtare për Personat e Zhdukur.”, u bë e ditur në komunikatë.
Ndërsa, Kryeministri Kurti e njoftoi Kryesinë e Këshillit për insistimin e tij të vazhdueshëm në çdo takim me zyrtarë ndërkombëtarë dhe në takimet me zyrtarët e lartë të Serbisë për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për vendvarrezat e tjera në Serbi, ku dyshohen se janë fshehur trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë./21Media

Back to top button