Kadri Veseli e padit për shpifje deputetin e LVV-së

Avokati kosovar, Faton Fetahu, në cilësinë e mbrojtësit të ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka paditur për shpifje deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, pas një deklarate që ky i fundit ka dhënë rreth një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Fetahu ka shkruar se deklarata e deputetit Korenica përmban shpifje dhe se kanë pritur 6 javë nga deputeti Korencia për t’u tërhequr nga e njëjta, megjithatë një gjë e tillë s’ka ndodhur.

”Si përfaqësues ligjor i ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli, kam dorëzuar këto ditë padi për shpifje kundër deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica. I njëjti, në muajin mars të këtij viti, konsumoi një shpifje të pashembullt ndaj z. Veseli, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të vlerësuar rrethanat e dështimit të një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës. Deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”. Pas deklaratës publike me përmbajte shpifëse ndaj z. Veseli, sipas ligjit në fuqi, deputetit i kërkuam përmirësimin e shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata. Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen. Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në medie një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm. Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë. Si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, kam depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij. Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli”, ka shkruar Fetahu.

Back to top button