Kadriu: Krejt operatorët për tregtimin e energjisë janë të licencuar, përveç në veri

Në Kosovë të gjitha kompanitë për tregtimin e energjisë elektrike janë të licencuara, përveç në veri të vendit ku ende ka operatorë që veprojnë ilegalisht.
Kështu tha gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës, ish-ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kompanisë publike KOSTT, Kadri Kadriu.
Ai fillimisht theksoi se kompanitë për tregtimin e energjisë elektrike që operojnë brenda Kosovës, veprojnë sipas rregullativës institucionale e shtetërore.
“Duhem me sqaruar këtu, se në tregun e brendshëm të Kosovës nuk ka palë që operon pa licencë. Në tregun e brendshëm të Kosovës nuk ka palë që operon pa licencë. Kjo ka ndodhë edhe më parë dhe tash. Ju po flisni për tregtim ndërkufitar, por ne kemi vepruar sipas interpretimit juridik që ka qenë në atë kohë, dhe pas ndërmarrjes së interpretimit juridik, ne kemi ndërprerë këtë aktivitet. Është më rëndësi të theksohet se parimi ose fryma e ligjit të Kosovës është i bazuar në direktivat e BE-së. Këto direktiva e njohin licencën e palëve në cilin do vend të komitetit të energjisë”, theksoi Kadriu.
Por, deputeti nga AAK-ja Pal Lekaj tha se ka informacione që ka kompani në Kosovë që operojnë ilegalisht. Për këtë ai kërkoi përgjigje nga Kadriu.
Pas kësaj, Kadriu pranoi se brenda territorit të Kosovës, vetëm në veri ka operatorë ilegalë.
Ndërsa, kryetari i komisionit, Driton Selmanaj ka pyetur Kadriun se a ka të drejtë KESCO të ndalojë importin e energjisë për shkak të çmimit të lartë.
Për këtë ish-kryeshefi i KOSTT-, Kadriu tha se pikërisht për shkak të çmimit të lartë që nuk ka importuar KESCO rrymë, janë shkaktuar devijimet.
Kadriu tha se kjo është përgjegjësi e ZRRE-së sa i përket mos importit të rrymës për shkak të çmimit të lartë nga KESCO.
Rritja e konsumit ka qenë mbi 10 përqind në dimrin e kaluar, derisa tha se kanë bërë maksimumin e mundshëm që këtë krizë energjetike ta menaxhojnë sa më mirë dhe teknikisht të mos shkaktohen probleme në sistem.

Back to top button