Kafe dhe çaj falas tri ditë në shesh

Është hapur sot edicioni i gjashtë i festivalit të çajit dhe kafes, ku për tri ditë radhazi qytetarët do të kenë mundësinë të shijojnë falas çajin dhe kafen në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.
Zëdhënësja e festivalit, Gita Lushi tha se këtë vit ka rritje të kompanive pjesëmarrëse dhe se janë rreth 30 brende të kafes dhe çajit që do të promovohen.
“Në këtë edicion kemi rritje të kompanive të pjesëmarrësve, interesimi i tyre është rritur nga edicionet e kaluara. Janë rreth 30 brende të kafes dhe të çajit, të cilët qytetarët do të mund të shijojnë dhe pse jo te marrin unformacione rreth çajra bimorë që kanë efekte shëndetësore. Gjatë këtyre tre ditëve do të ketë aktivitete si performim të maskotave të ndryshme, çajrat dhe kafet shumica do të shërbehen gratis, ka dhe produkte përcjellëse siç janë: kikirikat, biskotat e ndryshme. Nesër rreth orës 11:00 deri në 13:00 do të performojë Ema Canolli. Brenda këtyre tre ditëve do të përcillet me muzikë live që do lëshohet nga DJ vendorë… Edhe Down Sindorm është pjesë e aktivitetit tonë duke marrë parasysh që ky muaj është muaji i ndërgjegjësimit të Down Sindrom”, tha ajo.
Ndërkaq për pauzën prej dy vitesh, Lushi tha se arsyeja është COVID-i. Po ashtu ai ka pritshmëri të qytetarëve duke krahasuar vitet e kaluara.
“Vitin e kaluar kemi pasur 10 mijë vizitorë besoj që do të ketë rritje të numrit të qytetarëve, besoj që koha nuk do të ndikojë në zvogëlimin e interesimit të qytetarëve”, përfundoi ajo.
Njëri nga pronarët e kompanive pjesëmarrëse, Mersim Krasniqi tha se fillimi i këtij edicioni është gjë e mirë, pas pandemisë.
Ai bëri të ditur se kafeja është pa pagesë.
“Mbas pandemisë është gjë e mirë edhe për neve edhe për gastronomët, dashtë Zoti që të jetë koha e mirë, këto tri ditë do të bëjmë promovimin e kafes dhe çajit të brendeve tona. Përmbajmë kafen, çokollatën e nxehtë, biskota, gjashtë lloje të çajrave. Ka për të pasur edhe DJ, do të bëhet performancë e mirë. Jemi të parët që kemi startuar me kafe dhe ka filluar mirë, kemi lëvdata për kafe, kafeja është pa pagesë”, tha ai.
Festivali do të qëndrojë i hapur për tri ditë me radhë, sot si dhe më 12 dhe 13 tetor, nga ora 10:00 deri në ora 21:00.

Back to top button