Kaloni te përmbajtja kryesore

Kallas nga Beogradi bën thirrje për rikthim në dialog dhe normalizim me Kosovën

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë që të kthehen “sa më shpejt” në Bruksel për hapat përpara në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me përmirësimin e lidhjeve, por është thelbësore për të ardhmen e Serbisë. Është koha për të kapërcyer të kaluarën dhe për të punuar për një të ardhme të përbashkët. U bëj thirrje përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës që të vijnë sa më shpejt në Bruksel dhe të diskutojnë hapat konkretë përpara”, tha Kallas në një konferencë për media në Beograd

“Unë jam thellësisht e përkushtuar për të ndihmuar të gjithë Ballkanin Perëndimor që të kapë këtë momentum aktual të zgjerimit. Po, ky proces ka vazhduar për një kohë të gjatë, por ka gjithmonë momentum politik dhe është pikërisht këtu. Një Evropë e bashkuar është një vizion për të cilin ne të gjithë duhet të punojmë”, shtoi ajo.

Gjithashtu, Kallas tha se në bisedat e saj me zyrtarët serbë ka theksuar se nuk ka rrugë të shkurtra në rrugën drejt BE-së dhe se është e nevojshme të zbatohen reforma, në radhë të parë ato që kanë të bëjnë me liritë e mediave, luftimin e korrupsionit, por edhe reformën zgjedhore.

“Nga diskutimet e mia me lidershipin politik të Serbisë, është e qartë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një qëllim strategjik. Por dua të theksoj se ne gjithashtu duhet të shohim veprime që do t’i mbështesin këto fjalë. Reformat janë mënyra se si Serbia do të përparojë në rrugën e saj evropiane. Nuk ka rrugë të shkurtra për anëtarësimin. Duhet të bëhet përparim i vërtetë. Dhe hapat e ardhshëm janë shumë të qartë. Ato përfshijnë liritë e medias, reformat reale, jo vetëm reformat korruptive”, tha Kallas në një konferencë për shtyp.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button