Kamberi: Futja e shërbimit të detyrueshëm ushtarak ngjall shqetësim te shqiptarët në Luginë

Deputeti i shqiptar në e Serbisë, Shaip Kamberi ka reaguar për përgatitjet që po bëhen në Serbi për futjen në funksion të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Kamberi ka thënë se kjo nismë ngjallë shqetësim te shqiptarët në Luginë të Preshevës.
“për shkak të përvojave të dhimbshme historike në trajtimin diskriminues dhe tragjeditë e pësuara në të kaluarën nga të rinjtë shqiptarë që ishin në shërbim në APJ. Kujtesa kolektive e shqiptarëve është akoma e rëndë për ato pasoja tragjike.”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Më tej ka njoftuar se në procedurë parlamentare, sot ka dorëzuar Propozimin për themelimin e një Komisioni të posaçëm, me mandat për të zbardhur rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80.
“Shumë nga këto raste, të regjistruara si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore”, u konsideruan të dyshimta nga familjet e viktimave, të cilat shpesh raportuan shenja dhune mbi trupat e kthyer. Mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës ka forcuar bindjen se kemi të bëjmë me vrasje me motive etnike dhe politike, në një periudhë kur shqiptarët në APJ përballeshin me diskriminim, stigmatizim dhe armiqësi të hapur. Ky fenomen ka mbetur i heshtur e i padokumentuar në diskursin publik në Serbi, duke reflektuar një mungesë serioze të përballjes me të kaluarën dhe të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve.”, ka shkruar Kamberi.
Ai ka shtuar se është koha që Kuvendi të marrë përgjegjësi dhe të krijojë një Komision të posaçëm, i cili, përveç deputetëve, do të përfshinte edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit shqiptar, për një proces të drejtë, transparent dhe gjithëpërfshirës.
“Drejtësia për viktimat është gurthemeli i pajtimit dhe i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.”, ka përfunduar deputeti Shaip Kamberi./21Media