Kamberi për provokimet serbe: Nuk bëhet fjalë për ndonjë intervenim, janë veç fjalë

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka bërë të ditur se sa i përket provokimeve të vazhdueshme të Serbisë, nuk është se bëhet fjalë për ndonjë intervenim nga të njëjtit dhe se të gjitha këto janë veç fjalë.
“Serbia më tepër se me provokime verbale nuk mund të shkojë. Nuk bëhet fjalë për ndonjë intervenim. Unë pres reagime verbale, një fushatë të egër kundër Kosovës, por jo më tepër se kaq”, ka thënë Kamberi në emisionin debatues “Click”, në RTV21.

Gjithashtu, Kamberi për kolonat në pikat kufitare tha se po u shkaktojnë telashe të mëdha banorëve të Luginës.
“Shpresoj që ministritë përkatëse të jenë të përgatitura për realizimin administrativ për arsye se nga dje janë krijuat kolona në Preshevë, Muqibabë e Konçul. Duhen resurse të shtuara plotësuese që të mos krijohen radhët e pritjes”, shtoi tutje Kamberi.
 
Kujtojmë se, që nga kjo e hënë të gjitha automjetet serbe do mund të hyjnë në territorin e Kosovës vetëm nëse vendosin një targë të përkohshme të lëshuar nga autoritetet kosovare.
Vendimi është nënshkruar nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe vjen si një masë reciproke nga qeveria e Kosovës ndaj të njëjtit rregull që zbaton prej kohësh edhe Serbia ndaj makinave me targa kosovare.
Gjithashtu, janë bërë dy ditë qëkur dy rrugë nacionale, që lidhin Kosovën dhe Serbinë mbeten të bllokuara nga serbë lokalë, që po kundërshtojnë masën e reciprocitetit për targat e Serbisë./21Media

Back to top button