Kamberi: Të dhënat e Raportit të Progresit, treguese të pushtetit të Vuçiqit
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka thënë se të dhënat e Raportit të Progresit janë treguese të pushtetit destabilizues dhe autoritar të presidentit Aleksandar Vuçiq.
“Raporti i sapopublikuar i Progresit i Komisionit Evropian për Serbinë dhe rajonin dëshmon se pushteti aktual i Presidentit Aleksandër Vuçiq nuk ka vullnet politik në njërën anë për demokratizim dhe evropianizim të vendit, e në anën tjetër mbetet faktor destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Kamberi në Facebook.
Kamberi ka shtuar se për pushtetin e sotëm në Beograd më së miri flitet “nga shkeljet në të drejtat fundamentale të njeriut, trajtimit të drejtave të pakicave kombëtare, pasivizimit të adresave, gjuhës së urrejtjes nga zyrtarët e lartë, mungesën e demokracisë gjithëpërfshirëse, lirinë e shprehjes dhe përfshirjen e shqiptarëve në institucione, e deri te gjendja jostabile në Veriun e Kosovës, Bosnje dhe Herzegovinë, Mal të zi; me Serbinë si vektor destabiliteti të tyre”.
Deputeti shqiptar ka vazhduar duke thënë se në anën tjetër, veprim inkurajues është harmonizimi i politikave rreth Ballkanit Perëndimor midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, “të shprehur sot përmes kumtesës së përbashkët të Sekretarit Amerikan të Shtetit, z.Anthony Blinken dhe Përfaqësuesit të BE-së për Politikë të Jashtme, z.Josep Borell”./21Media