Kamenica dhe Novobërda përfituan rreth 450 mijë euro nga BE për efiçiencë të energjisë

Janë përfunduar projektet e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike komunale (financimi IPA 2017) në Kamenicë dhe Novobërdë me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

Në komunën e Kamenicës është përfunduar projekti për efiçiencë të energjisë në Shkollën e Mesme ‘Ismail Qemali’ në vlerë 170 mijë euro dhe në ndërtesën e komunës në Novobërdë në vlerë rreth 100 mijë euro.

Masat e realizuara në shkollë përfshijnë: Termoizolimin e jashtëm të mureve të ndërtesave (lesh guri në shkollë, ndërrimin e dritareve dhe dyerve me dritare të reja PVC, kaldajën e re për ngrohje qendrore me pelet dhe komponentë të tjerë, si dhe ndriçimin e ri LED.

Ndërkaq, në komunë të Novobërdës masat e zbatuara përfshijnë: Termoizolimin e jashtëm me lesh guri, zëvendësimin e dritareve dhe dyerve me ato eficiente PVC, kaldajën e re për ngrohje qendrore me pelet dhe komponentë të tjerë, si dhe ndriçimin e ri LED.

Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen, derisa është shprehur i lumtur që po finalizojnë projektet në fjalë dhe ka theksuar se efiçenca është një ndër shtyllat kryesore që përbën shtyllën e agjendës së gjelbër të BE-së.

“Efiçienca e energjisë është një ndër shtyllat kryesore që përbën shtyllën e agjendës së gjelbër të BE-së, që bënë çdo gjë që të jetësojë praktikisht integrimin e këtyre komponentave në kuadër të Aki Komunitare. Konsiderojmë se të gjitha këto investime do të sjellin ndryshim që do të jetë i ndikueshëm dhe produktiv, në të gjitha këto komuna dhe me një efikasitet më të madh”, ka thënë ai.

Ndërsa, drejtori menaxhues i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ahmet Ismaili është shprehur se më këtë projekt përveç që po arrijnë të sigurojnë kursime, po sigurohet edhe një komfort i brendshëm i rëndësishëm.

“Në këtë mënyrë ne po kontribuojmë bashkërisht në arritjen e strategjisë së energjisë ku efiçienca e energjisë është një element kyç, e cila pëveç që siguron kursime, energji të pastër, e siguron edhe një komfort të brendshëm po ashtu që është i rëndësishëm si për punë në shërbim me qytetarët ashtu edhe për aktivitete të edukimit, të shëndetësisë”, ka thënë Ismaili.

Zëvendës-udhëheqësja e Zyrës së Bankës Botërore, Elene Imnadze ka deklaruar se janë të kënaqur të shohin ndikimin e projektit të efiçiencës së energjisë dhe energjisë së ripërtritshme në Kosovë.

Po ashtu, ajo ka thënë se me këtë masë krijohen edhe vende të reja të punës.

“Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur për këtë arritshmëri që kemi pasur në kompletimin dhe tani përurimin e gjithë kësaj pune që është bërë. Ne vërtetë jemi të kënaqur të shohim sa kanë ndikim i gjithë projekti i efiçiencës së energjisë dhe energjisë së ripërtrishme në vendin tuaj…Jo vetëm se kjo punë është në plotni në përputhje me strategjinë e qeverisë lidhur me energjinë e ripërtritshme dhe efiçiencën e energjisë, por njëkohësisht gjitha këto projekte mundësojnë krijimin e vendeve të reja të punës, gjithashtu mundësojnë një bashkëpunim mes vete që është më i përafërt dhe jetësojnë më praktikisht të gjitha komponentet strategjike të vendit”, ka thënë Imnadze.

Këshilltarja e kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve, Elizabeth Gowing është shprehur e lumtur me këtë bashkëpunim të ofruar nga BE.

Gowing ka thënë se të gjithë duhet të ndihmojnë në ruajtjen e ambientit, derisa ka shtuar se kjo masë ndihmon në përmirësimin e planetit.

“Ne e dimë që kjo është një çështje që bashkon të gjitha komunitetet në Kosovë. Këtu në Novobërdë jemi në një komunë që ka edhë romët, serbët dhe shqiptarët së bashku, por cilit do komunitet që i përkasim, të gjithë e kemi këtë brengë për planetin tonë, të ardhmen tonë dhe për efiçiencën e energjisë edhe në shtëpitë tona, por edhe në ndërtesat komunale”, ka thënë Gowing.

Nënkryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Imeri derisa ka falënderuar për bashkëpunimin, ka thënë se falë këtij projekti edhe faturat e enërgjisë elektrike janë më të ulta.

“Për neve kjo është një shumë jashtëzakonisht e konsiderueshme dhe një ndihmë e madhe, duke pasë parasysh se nga buxheti ynë nuk kishim pasë mundësi t’i përfundojmë këto punë. Falë këtyre investimeve që janë bërë, ky objekt që jemi duket më i bukur nga jashtë, por është më i ngrohtë nga brenda. Dhe natyrisht faturat e energjisë elektrike që kanë qenë jashtëzakonisht të larta për shkak që ky objekt ka kërkuar ngrohje tani do të jenë shumë më të ulta dhe natyrisht do të kemi një ngrohje më të mirë dhe më efikase”, ka thënë Imeri.

Granti i BE-së është i kombinuar me 5 milionë euro kredi nga Banka Botërore si dhe bashkëfinancim nga Qeveria me 1 milionë euro/vit.

Në kuadër të “Pakos për Mbështetje të Energjisë” të financuar nga BE-ja prej 75 milionë euro si përgjigje ndaj krizës energjetike, Fondi i Kosovës për efiçencën e energjisë do të zbatojë 20 milionë euro për masat e efiçiencës së energjisë në sektorin e banimit.

BE-ja kërkon më tej të mbështesë Kosovën në zbatimin e strategjisë së re të energjisë (2022-2031), në veçanti në fushën e efikasitetit të energjisë dhe energjisë së rinovueshme.

Back to top button