Kampi treditor me talentet e Diasporës në Grunberg

Federata e Futbollit e Kosovës në kuadër të zbulimit të talenteve dhe seleksionimit të tyre për ekipet kombëtare, sot e ka filluar kampin treditor në Grunberg të Gjermanisë, me futbollistët të Diasporës të gjeneratave U15, U16 dhe U17.

Ky kamp synon të seleksionojë futbollistët më të mirë, të cilët në të ardhmen do t’i bashkohen ekipeve kombëtare zinxhir të Kosovës.

Stafi i angazhuar përbëhet nga profesionistë të fushës dhe që janë pjesë e ekipeve kombëtare U15 dhe U17: Arbnor Morina, Fadil Berisha, Fatos Vishi, Ilir Nallbani e Masar Qosa, derisa nga afër këto talente do t’i vëzhgojnë edhe drejtori i ekipit kombëtar, Muharrem Sahiti dhe koordinatori i kombëtareve të grupmoshave Isa Sadriu.

Në këtë kamp po marrin pjesë rreth 60 futbollistë, prej të cilëve ka lojtarë edhe nga klubet e mëdha si Schalke, Twente, Greuther Furth, Bayer Leverkusen, Borussia Dortmund, Nurnberg, Borussia Monchegladbach, Hannover, Stuttgart dhe Hertha Berlin.

Pjesëmarrja e këtyre futbollistëve tregon se ky kamp është një mundësi e mirë për të seleksionuar sa më shumë lojtarë të talentuar që në të ardhmen do t’i shërbejnë ekipeve kombëtare të Kosovës, por njëherësh dëshmon edhe përkushtimin e FFK-së për t’i ofruar mundësi secilit lojtar me prejardhje nga Kosova që ta veshë fanellën dardane.

Back to top button