Kanada me sanksione të reja ndaj udhëheqësve bjellorusë

Kanada po vendos sanksione të reja ndaj udhëheqjes bjelloruse në përgjigje të përfshirjes së vendit në pushtimin rus të Ukrainës, sipas ministres kanadeze të Punëve të Jashtme Mélanie Joly.
Këto masa të reja vendosin kufizime ndaj 22 zyrtarëve të lartë të Departamentit të Mbrojtjes të Bjellorusisë, të cilët mbështetën sulmin ndaj Ukrainës duke lejuar Bjellorusinë të shërbejë si “pikë nisjeje” për pushtimin rus, sipas njoftimit të Global Affairs Canada.
“Bota është e tmerruar të shohë dhunën e pakuptimtë që po ndodh në Ukrainë. Ashtu siç Kanadaja po vendos sanksione të rënda ndaj regjimit rus, udhëheqja bjelloruse gjithashtu duhet të mbahet përgjegjëse për mundësimin dhe mbështetjen e sulmeve të paprovokuara të Vladimir Putinit”, tha Joy. “Kanadaja i lutet (presidentit bjellorus) Alexander Lukashenko që t’i japë fund mbështetjes së tij për pushtimin rus. Ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim veprime të mëtejshme. Bota po shikon”, thuhej më tej.
Sipas njoftimit, Kanada ka sanksionuar më shumë se 500 individë dhe subjekte nga Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt.
Trupat ruse ishin stacionuar në Bjellorusi – e cila kufizohet me Ukrainën në veri – përpara sulmit në Ukrainë, për të cilin të dy vendet kishin pretenduar se ishin për stërvitje. Përdorimi i kufirit të Bjellorusisë ka qenë strategjikisht i favorshëm për Rusinë, sepse kufiri i saj me Ukrainën është shumë më afër Kievit sesa ai i Rusisë, duke siguruar një rrugë më të shkurtër për trupat ruse për të arritur në kryeqytetin ukrainas./21Media

Back to top button