Sulmohet me vezë Përparim Rama, LVV: Nuk e sulmuam 

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama është sulmuar sot me vezë gjatë një tubimi me struktura dhe simpatizantë të partisë në “Kodrën e Trimave”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ramës, i cili në një status në Facebook ka deklaruar takimet me banorët e Prishtinës dhe diskutimet e lira e të hapura janë bazë e lirisë së shprehjes.
“Takimet me banorët e Prishtinës dhe diskutimet e lira e të hapura janë bazë e lirisë së shprehjes. Ka shumë të pakënaqur në qytetin tonë. Mirëpo nuk ka vend për panike. Prishtinës do t’i kthehet buzëqeshja e dashnia”, ka shkruar Rama në Facebook.
Zyrtarë të LDK-së menjëherë kanë hedhur akuza mbi LVV-në, duke thënë se ky sulm është kryer nga aktivistë të saj.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Prishtinë, përmes një reagimi për media ka mohuar akuzat e LDK-së për sulm me vezë ndaj kandidatit për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama.
“Reagim ndaj lajmit të rremë Sapo u njoftuam nga mediat se disa persona paskan hedhur vezë në një tubim ku ka qenë prezent kandidatit për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së. Këto lajme janë të pavërteta dhe tendencioze. Aksionet e aktivistëve tanë kanë qenë gjithmonë publike. Pra edhe njëherë ritheksojmë se këto veprime nuk janë organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE!”, është bërë e ditur në reagimin e LVV-së.

Back to top button