Kandidimi i Vitisë për kryetar të Prishtinës “papërgjegjësi e VV-së”
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po e vlerëson të dobët menaxhimin e Qeverisë të situatës me pandeminë COVID-19.
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, në një konferencë për media ka thënë se masat e fundit që Qeveria e Kosovës mori për frenimin e koronavirusit, janë të vonshme.
E mundësinë që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i përfolur por ende jozyrtarisht, si kandidat për kryetar i Komunës së Prishtinës, LDK-ja e sheh tepër shqetësuese. Mjekiqi ka thënë se është situatë e rëndë, aq më tepër nëse kreu i dikasterit të shëndetësisë angazhohet në një aktivitet tjetër.
Ndërsa, Izet Sadiku nga LDK, e ka quajtur papërgjegjësi të Qeverisë dhe të vetë ministrit Vitia, kandidimin e këtij të fundit.
“Po e lë këtë situatë dhe po kandidohet për kryetar të komunës, kjo është mospërgjegjësi nga ministri që ka dhënë fjalë se do ta luftojë dhe nga partia”, ka thënë ai.