Kanosi me sëpatë deputetin dhe rojen e Parkut Nacional, arrestohet 34-vjeçari

Një 34-vjeçar është arrestuar sot në Suharekë, pasi më 12 mars kishte kanosur dy persona, njëri deputet i Kuvendit të Kosovës dhe tjetri roje e Parkut Nacional.

Deputeti bashkë me rojën e Parkut Nacional kishin hasur në persona të dyshimtë, të cilët ishin duke bartur dru në mënyrë të paligjshme, të dyshimtit nuk kanë pranuar të legjitimohen, ndërsa njëri nga ata i ka kanosur viktimat me sëpatë dhe pastaj ka ikur nga vendi i ngjarjes.

“Nga Policia në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti “Kanosje” dhe kanë filluar hetimet në identifikimin e të dyshimtit. Sot, më 14.03.2023 është identifikuar i dyshuari (A.A. 34 vjeç, nga komuna e Suharekës), për të cilin ekziston dyshimi i bazuar që ka kanosur viktimat. Në prezencë të avokatit mbrojtës i dyshuari është deklaruar për incidentin, në deklarimin e tij ai pohon të këtë pasur një mosmarrëveshje dhe fjalosje me viktimat, por mohon se ka përdorur fjalë kanosëse”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me aktvendim të prokurorit të Shtetit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari ndalohet në ndalim policor për 48 orë./21Media

Back to top button