Kapen mbi 1 mijë e 600 litra tretës, i dyshuari iku

Policia dhe Dogana e Kosovës kanë bërë të ditur se pas informacioneve inteligjente se nga Serbia është futur mall i kontrabanduar në veri të Republikës së Kosovës, policia ka angazhuar njësi përkatëse dje ku rreth orës 14:50 përmes Njësitit të trafikut rrugor të Drejtorisë rajonale të policisë në Mitrovicën jugore, përkatësisht në fshatin Vinarc të Mitrovicës ka lokalizuar automjetin transportues me të cilin dyshohej se po bartej malli i kontrabanduar.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se drejtuesi i automjetit për t’iu shmangur policisë ka dalë nga rruga dhe ka braktisur automjetin.
Gjatë kontrollit në automjetin e dyshuar është gjendur tretës i llojeve të ndryshme me peshë të përgjithshme prej 1 mijë e 648 litra.
Automjeti së bashku me mallrat ilegale janë sekuestruar nga policia në Mitrovicë, të cilat pastaj i janë dorëzuar Doganës së Kosovës.
Rasti është duke u trajtuar nga zyrtarë të Doganës së Kosovës./21Media

Back to top button