Kapet droga e sjellur në Kosovë me postë

Dogana e Kosovës sot gjatë kryerjes së kontrollit rutinë të dërgesave postare ka konfiskuar dy qese të mbushura me peshë 1kg kanabis në Qendrën Doganore të Postës.
Përmes një njoftimi nga dogana u bë e ditur se rasti u raportua menjëherë autoriteteve të sigurisë dhe se i gjithë rasti, me provat materiale, i është dorëzuar zyrtarisht Policisë së Kosovës për procedimet e mëtejshme penale, teksa shtohet se lënda narkotike e llojit kanabis ishte me prejardhje nga jashtë vendit.
“3 shtator 2025, në Qendrën Doganore të Postës, gjatë kryerjes së kontrollit rutinë të dërgesave postare me prejardhje nga jashtë vendit, u zbulua dhe konfiskua një sasi e konsiderueshme substancë narkotike. Gjatë inspektimit të një pakoje të dyshimtë, zyrtarët doganorë hasën në dy qese plastike të mbushura me një substancë të blertë, e cila dyshohej të ishte kanabis. Pesha neto e substancës ishte afërsisht 1 kilogram. Në vijim të protokoleve standarde, rasti u raportua menjëherë autoriteteve të sigurisë. Në vend është ftuar Njësia Anti-Drogë e Policisë së Kosovës, e cila, pas verifikimit paraprak, konfirmoi se substanca në fjalë është narkotik i llojit marihuanë. I gjithë rasti, së bashku me provat materiale, i është dorëzuar zyrtarisht Policisë së Kosovës për procedimet e mëtejshme penale. Dogana e Kosovës e thekson përsëri angazhimin e saj të palodhur për të mbrojtur sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve duke parandaluar hyrjen e paligjshme të substancave të ndaluara në territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është një tregues i qartë i efektivitetit të kontrollit doganor dhe i bashkëpunimit të ngushtë dhe efektiv me të gjitha institucionet e sigurisë në vend”, thuhet në njoftim. /21Media