Kapet me afër 5 mijë euro të falsifikuara, arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës, ka arrestuar një person pasi të njëjtit i janë gjetur dhe sekuestruar 4 mijë e 700 euro të falsifikuara.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe të njëjtit i është lëshuar vërtetimi për sekuestrim të të hollave të falsifikuara.

Për veprimet e ndërmarra është njoftuar dhe konsultuar Prokurori kujdestar i krimeve të rënda nga PTH-Prishtinë dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka pranuar informatën nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve të cilët sot me datë 22.05.2023 rreth orës 16:30, gjatë një operacioni policor, gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit me iniciale (V.T.) kanë hasur në një shumë të parave €uro të cilat janë dyshuar se janë të falsifikuara. Pas këtyre veprimeve rasti ka kaluar për hetim të mëtutjeshëm në Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), me ç`rast pas analizimit të provave është arrestuar i dyshuari i lartcekur, gjithashtu është sekuestruar shuma e parave prej 94 copë kartëmonedha (në apoen) prej 50 eurove, gjithsej 4 mijë e 700 euro, që dyshohet të jenë të falsifikuara. Pas analizimit të kartëmonedhave të falsifikuara vërehet se është falsifikim i nivelit më të lartë, përmban disa prej tipareve të sigurisë dhe i rrezikshëm që qytetarët të bien pre e mashtruesve me këtë lloj falsifikimi”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu aty thuhet se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin dhe luftimin e veprave penale të të gjitha llojeve dhe kërkon nga qytetarët bashkëpunim të plotë në parandalimin e veprave të tilla.

Back to top button