Kasami bëhet me skuadër të re

Familja Marinakis janë ende duke punuar fuqishëm për ta përforcuar skuadrën para mbylljes së merkatos verore, ku kanë transferuar një tjetër lojtar te Olympiacosi.
Bëhet fjalë për futbollistin me prejardhje shqiptare, Pajtim Kasami, i cili karrierën e tij do ta vazhdojë në Greqi, pasi transferohet si lojtarë i lirë te Olympiacosi.
Pas Marcelos, James Rodriguez, Cedric Bakambu e Diadie Samassekou, Kasami bëhet lojtari i fundit që i bashkohet gjigantit grek në ditët e fundit të afatit kalimtar veror të transferimeve.
Testet mjekësore veçse kanë përfunduar pasi Kasami ka mbërritur në Greqi para disa orëve, siç raportohet nga gazetari i njohur Fabrizio Romano.
Kasami ka pasur një karrierë të bujshme deri tani, ku ndër klubet te të cilat është transferuar kanë qenë Liverpooli, Fulhami, Nottingham Foresti, Baseli e Lazio.
Po ashtu, në të kaluarën Kasami ka qenë pjesë e Olympiacosit ku kishte bërë 66 paraqitje, në të cilat kishte regjistruar nëntë gola dhe nëntë asistime.

Back to top button