Kasapolli: Në mesin e viktimave nuk ka fëmijë

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli  ka treguar se ka qenë në spitalin e Slavonski Brodit, ku po trajtohen 44 persona, 8 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, ndërsa disa kanë kryer operacione dhe tani janë në gjendje stabile.
Kasapolli ka thënë për televizionin publik të Kosovës se i ka vizituar të gjithë të lënduarit të shtrirë në repartet e spitalit në Slavonski-Brod, teksa ka njoftuar se janë duke e bërë identifikimin e viktimave dhe të lënduarve.
”Ne e kemi listën e të gjithë pasagjerëve dhe së bashku me autoritetet kroate jemi duke i identifikuar secilin veç e veç. Por disa janë në terapi dhe ende nuk kemi arritur të bëjmë identifikimin e tyre”, ka shtuar ambasadori Kasapolli.
Ai ka thënë se fatmirësisht asnjë prej fëmijëve nuk janë në mesin e viktimave.
”Sipas informatave që kemi kanë qenë diku 13 fëmijë në autobus dhe fatmirësisht asnjë prej tyre nuk është në listën e të vdekurve. Tani jemi duke e bërë studimin e moshës dhe identifikimin e tyre dhe posa ta kemi këtë informatë do ta ndajmë me opinionin”, ka theksuar Kasapolli.

Back to top button